
Tre muaj pas ekzekutimit mafioz të ishpolicit Arben Bilali, Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 47-vjeçar, që dyshohet se u ka siguruar atentatorëve targat e vjedhura për makinën që u përdor për krimin. I arrestuari është Arben Tirana (Xhetani), banues në Shkozë, i proceduar disa herë për vjedhje. Burime nga grupi hetimor thanë se identifikimi i tij është bërë pas analizimit të provave që u fiksuan në automjeti tip “Mercedez Benz CLS”, me ngjyrë blu të errët, që u gjet në afërsi të Mjull Bathores, pak orë pas ngjarjes. Pas verifikimeve rezultoi se bëhej fjalë për të njëjtën makinë, me targa AA 757 RV, të vjedhura dy vite më parë nga një “Fiat Punto” në Vlorë, që ishte përdorur në krim. Autorët që kryen ekzekutimin e Arben Bilalit, mesditën e 30 janarit të këtij viti, ende nuk janë identifikuar nga Policia. Megjithatë, burimet thonë se arrestimi i 47-vjeçarit Arben Tirana mund të shërbejë edhe për identifikimin e autorëve të vrasjes. Tirana është vënë në pranga i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Pak orë pas ngjarjes, Policia sekuestroi si provë automjetin nga ku u qëllua 14 herë me automatik, mbi ish-policin Arben Bilali. Automjeti tip “Mercedez Benz CLS”, me ngjyrë blu të errët, rezultoi të kishte targat AA 757 RV, që i ishin vjedhur një makine në Vlorë 2 vite më parë. MOMENTI I VRASJES Para se të mbetej i vrarë në atentat, mesditën e datës 30 janar, Arben Bilali kishte qenë në shoqërinë e mikut të tij, shtetasit me iniciale A.Ç. Ky i fundit është marrë në pyetje si dëshmitar i ngjarjes dhe ka shpjeguar se si 50-vjeçari u vra sapo zbriti nga makina e tij tip “Golf 4”. Sipas materialit të referuar në Prokurori, A.Ç. ka deklaruar se bashkë me Arben Bilalin, ka shkuar për të dërguar makinën në servis, pasi kishte një defekt dhe në momentin që janë kthyer, ka ndodhur sulmi i menjëhershëm me armë. Në pamjet e fokusuara nga një kamera sigurie në vendin e ngjarjes, pas automjetit tip “Golf 4”, ku 50-vjeçari ishte si pasagjer, është një makinë tjetër tip “Mercedes Benz CLS”. Në një moment, shoku i Bilalit ka ndaluar makinën vetëm për pak sekonda. Në këtë kohë, Arben Bilali ka zbritur dhe shfaqet duke kaluar mes dy makinave. Sipas pamjeve, viktima duket kur kalon para mjetit të atentatorëve, madje edhe shikon drejt tyre. Por sapo kalon rrugën dhe i afrohet trotuarit, makina e shokut të tij vijon rrugën drejt, ndërsa atentatorët i afrohen Bilalit dhe hapin zjarr drejt tij. Nga pamjet nuk duken autorët, madje as arma e krimit, pasi ata janë kujdesur që të mos ndalojnë dhe as të mos nxjerrin kokën jashtë. Mësohet se në drejtim të 50-vjeçarit ka qëlluar njëri nga autorët, i cili nuk ka zbritur nga makina. Ai ka qenë i ulur në sediljen e pasme pas shoferit dhe pa nxjerrë kokën në dritare, ka ulur xhamin duke qëlluar. I arrestuari vodhi atasheun e SHBA në vitin 2013, në Lushnjë Arben Tirana (Xhetani), 47- vjeçari që u arrestua dje nga Policia e Tiranës, si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Arben Bilali, ka qenë i dënuar e i proceduar disa herë për vjedhje, kryesisht automjetesh. Ngjarjet, për të cilat ai është hetuar më parë, kanë ndodhur në Tiranë, Durrës, Lushnjë, Vlorë, por edhe në qytete të tjera. Por ngjarja që bëri më shumë bujë, për të cilën Tirana u shpall fillimisht në kërkim e më pas u arrestua, ka qenë ajo e vitit 2013, kur u vodh atasheu ushtarak i SHBA-ve në Lushnjë. Për këtë ngjarje, ai u arrestua nga shërbimet e Komisariatit nr.1 të Tiranës, 3 muaj pasi kishte ndodhur vjedhja në Lushnjë. Ngjarja kishte ndodhur në korrik të 6 viteve më parë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Fierit bënë të ditur në atë kohë se ka qenë ora 17:30 e pasdites, kur atasheu ushtarak që shërben në ambasadën shqiptare në SHBA, i cili po udhëtonte me një furgon nga Tirana drejt Vlorës dhe pasagjerët e tjerë që ndodheshin në të njëjtin automjet, janë ndalur për një kafe disaminutëshe në një bar në autostradën Lushnjë-Fier. Atasheu ka pasur me vete edhe një çantë, në të cilën kishte një kompjuter portativ, ku kishte të dhëna të shërbimit që kryente dhe sende të tjera që i përkisnin punës. Sipas dyshimeve të Policisë, duke qenë se nga paraqitja e jashtme, ai ndryshonte nga pasagjerët e tjerë të furgonit, është pikasur nga tre të autorët e dyshuar, mes tyre edhe Arben Tirana, që ishin ulur më parë në të njëjtin bar e po konsumonin nga një pije. Ata kanë vërejtur se para se të zbriste, atasheu ishte kujdesur ta vendoste çantën e tij në një prej sediljeve të furgonit dhe kanë vendosur ta vjedhin atë, me shpresën se mos aty gjendeshin sende me vlerë. Gjithashtu, hajdutët janë siguruar se shoferi i furgonit nuk i ka mbyllur dyert e mjetit. Copyrighted by News24 Albania
Không có nhận xét nào:
Đăng nhận xét